Arbër Dervishi

Raport nga fronti i Silicon Valley

Postuar ne daten 2011-08-13
Pelqime
1

Facebook ndryshon sërish kontratën me zhvilluesit e aplikacioneve. Rregullorja e re ka për qëllim të ndalojë cdo lloj linkimi drejt platformave të tjera sociale , ose e thënë ndryshe integrimin e graph-it social të Facebook me pjesën tjetër. 

Me lëshimin e Google+, platformës sociale të Google kutia e Pandorës është zyrtarisht e hapur.  Lufta e platformave ka filluar, dhe jemi ende në fazën e demostrimit të forcës. Bloget anembane botës raportojnë për “incidente” të vogla midis lojtarëve të mëdhenj të rrjeteve sociale, por lufta e vërtetë zhvillohet nën rrogoz, në një qytet te vogel të Kalifornisë, Palo Alto.

Këtu ndodhen zyrat qëndrore të dy prej gjigandëve të internetit, Google dhe Facebook. Deri më tani modelet e biznesit të të dyve nuk kanë interferuar me njëri tjetrin. Google duhet vlerësuar si kompania që e bëri internetin të thjeshtë për përdoruesit, duke lidhur cdo cep të tij në një rrjet virtual gjigand. Google e arriti këtë duke natyralizuar algoritmat qe klasifikojnë rezultatet e kërkimit në një nivel aq të lartë sa ekosistemi shpërtheu në miliarda nyje të reja, të gjitha të aksesueshme nga një kuti e vogël kërkimi.  Pra e thënë thjesht, Google e bëri internetin të funksionojë. Natyrshëm miliarda dollarë filluan të qarkullojnë në këtë ekosistem, sërish të aksesueshme përmes të njëjtës kuti të vogël kërkimi. Edhe njëherë tjetër Google shpalos aftësinë supreme për të optimizuar algoritmat, këtë rradhë atë të monetizimit. Pjesa tjetër e historisë është e shkruar në deklaratat e tyre të fitimeve. 

Mbaron akti i parë. Hyn Facebook. Një tip aspak social, sipas filmit mbi historieë e Facebook ka një vizion. Të virtualizojë tendencën tonë biologjike për tu socializuar. Është e shkruar në genet tona, është një nevojë natyrale e njerëzve, shkaku qe nuk kemi më bisht e jetojmë në tufa të mëdha prej milionash. Natyrisht që përpara Facebook shumë rrjete të tjera sociale arritën të jenë të suksesshme, por modelet e tyre rezultuan aq të paqëndrueshme sa i gjithë suksesi i tyre disa vjecar u zhbë në pak kohë nga Facebook. Kjo sepse këto rrjete sociale kishin qëllim kryesor argëtimin. Dhe kur vjen puna te argëtimi, sado i bukur të jetë një ambjent argëtues, sapo të hapet një i ri njerëzit kanë tendencën ta braktisin të vjetrin pa asnjë mëdyshje. Me fare pak mundim Facebook arriti të dominojë tregun e rrjeteve sociale. Kur them me fare pak mundim, nuk dua të nënvlerësoj aftësinë e mahnitshme të drejtuesve të rrjetit për ti dhënë momentum-in e nevojshëm platformës. E them shpesh në biseda mes miqsh, nuk është aspak rastësi që të gjitha kompanitë avant-garde në teknologji lindin në kampuset e universiteteve më të mëdha. Është investimi i një komuniteti shumë të gjerë akademikësh qe formëson të tillë individë me aftësi për të arritur objektiva kaq të mëdha. Megjithatë po e ruaj këtë mendim për një shkrim tjetër. 

Për t’iu kthyer argumentit, jemi në pikën kur Facebook ka marrë momentumin e nevojshëm për tu bërë virale. Miliona rregjistrime të reja në kohë record. Një ekosistem I ri, krejt I ndryshëm nga ai i kultivuar nga Google filloi të lulëzojë. Në një skenar të ngjashëm me filmin Matrix, miliona njerëz fillojnë të lidhen vullnetarisht në këtë supersistem të ri, duke i dhënë jetë një algoritmi parimisht elementar, algoritmit të graph-it social. Nga pikëpamja e përshtatmërisë, duke qenë teorikisht elementar, ky algoritëm është lehtësisht i kuptueshëm nga përdoruesit. Për më tepër, ky algoritëm ka mijëra vite qe përdoret dhe është praktikisht i vërtetuar i saktë nga secili prej nesh. Është algoritmi i socializimit. E thënë thjesht, nëse ndajmë interesa të përbashkëta jemi shokë; nëse studiojmë apo punojmë në një vend, me shumë gjasa jemi shokë. Në njërin rast jemi më shumë shokë, në tjetrin më pak. Nëse kemi shokë të përbashkët mbase dhe ne duhet të jemi shokë, etj. Natyrisht qe modelimi kompjuterik i këtij algoritmi nuk është një detyrë e thjeshtë por në epokën e re teknologjike shtresa e programimit kompiuterik nuk përbën më pengesë për zhvillimin e sistemeve.

Prodhuesit e kompjuterave fillojnë të nuhasin mundësitë marramendëse të krijuara brenda këtij ekosistemi të ri. Pajisjet “mobile” fillojnë të masivizohen. Njerëzit e kanë përqafuar aq shumë këtë mënyrë të re argëtimi sa kanë filluar ta përdorin si një mjet për të komunikuar dhe për të përmirësuar jetën (një tendencë tjetër genetike). Paralelisht zhvillohen platforma të tjera sociale të komunikimit masiv si Twitter etj. Të gjithë ndjejmë nevojën të jemi “online” gjithë kohën. 

Të ndalojmë një sekondë. Të gjithë sytë të kthyer nga mundësitë e reja të hapura nga Facebook. Në tavolinë, në një pjatë të argjendtë është servirur mundësia tjetër e madhe. Google fillon tentativat e para për të marrë një copë të kësaj torte. Po kështu dhe kompanitë e tjera të mëdha. Por hej, është torta jonë, thotë Facebook. Dhe menjëherë kalojnë në gjendje mbrojtje. Fillon lufta e ftohtë për marrëveshje, dikush për tu forcuar nëpërmjet aleancave me më të vjetrit, dikush për të marrë një copë të tortës në shkëmbim të “mbrojtjes” (fejesa Microsot <-> Facebook). Kjo dhe shumë marrëveshje të ngjashme vec forcimit të pozitave mbrojtëse, kanë si qëllim përgatitjen për të thyer më në fund monopolin natyral të Google. Me sa duket algoritmat inteligjente të Google, që vendosin se cfarë është përmbajtje interesante për ne, nuk mjaftojnë më. Rezultatet e kërkimit, ose më mirë informacioni që do të na serviret nuk do të vendoset më në bazë të një trendi të gjerë, por në bazë të interesave specifike të secilit. Kjo më së mirë mund të realizohet nëprmjet graphi-it social. Psh: nëse e dashura ime ka shfaqur interes online për qenushët, duke gjykuar përkushtimin tim ndaj të dashurës  (duke analizuar aktivitetin midisi nyjeve te graph-it Une <-> E Dashura), në kutinë time të emaileve apo në “Wall-in” tim do të shfaqen reklama për qenushë, pse jo dhe me mesazh të personalizuar. 

Këtu modelet e biznesit të Google dhe Facebook fillojnë ti mbivendosen njëera-tjetrës. Duke kuptuar që kanë mbetur jashtë “Mureve” të internetit të ndërtuara nga Facebook Google më në fund po përpiqet të hedhë themelet mbi të cilat do të ringrihet perandoria: Google+. 

Ndërsa të gjithë vazhdojmë të jemi skeptikë për suksesin e sipërmarrjes në të cilën Google ka vënë bast kompaninë, Facebook ka filluar të ndjejë që gjërat po ndryshojnë. Parimet mbi të cilat Google kërkon të ndërtojë graph-in social janë diametrikisht të kundërta; ndërsa Google inkurajon hapjen e graph-it social, Facebook po përforcon përpjekjet për ta mbyllur atë brenda mureve të tij. Duke gjykuar natyrën e rrjeteve sociale, faktin që në thelb produkti që shet një rrjet social jemi ne, njerëzit,  mendoj se tentativa për të na mbajtur brenda “kafazit të artë” qe Facebook ka ndërtuar për ne do të rezultojë e pa suksesshme. 

Që nga fillimi parimi i Facebook ka qenë "C'fare ndodh në Facebook, mbetet në Facebook". Ndërsa parimi i Google “Don’t be Evil”. Shkurt muhabeti, bëni gati tasat me kokoshka, akti i tretë është duke filluar. Dhe do jetë I përgjakshëm ;)

Etiketa : facebook, google+, social network,

Komentoni:

Emri :
E-Mail :
Komenti :

Kush jam

Twitter